Ministria për vetëqeverisje lokale me 3 milion denarë do të financojë fazën e parë të punëve për sanimin e kanalit në Hasanbeg, aktivitet ky që është prioritet numër një për banorët e këtij vendbanimi. Kjo u tha veç tjerash në takimin e sotëm që e realizoi ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu gjatë vizitës në  komunën e Gazi Babës  ku u takua me kryetarin e kësaj komune, z. Boris Georgievski. Në takim ku mori pjesë edhe  drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, Ramiz  Rexhepi, u bisedua për aktivitetet në ecuri në këtë komunë, projektet e parashikuara për këtë vit dhe periudhën e ardhshme si dhe zgjidhjen e çështjeve prioritare të banorëve nëpër vendbanimet që janë pjesë përbërëse të komunës.

Ministri Fazliu para të pranishmeve theksoi nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të komunave me Ministrinë për vetëqeverisje lokale dhe bashkëpunimin e patjetërsueshëm mes komunave me bashkësitë lokale. Ai me këtë rast nënvizoi politikën e zhvillimit të barabartë regjional si parakusht për zbutjen e dallimeve mes komunave dhe vendbanimeve të cilat janë të shprehura në shkallë të lartë sidomos ndërmjet komunave rurale dhe vendbanimeve në zona më të thella.

-Ne jemi të gatshëm, tha ministri Fazliu që me mjetet që disponojmë në ministri të ndihmojmë realizimin e projekteve të iniciuara ndërsa në këtë drejtim duhet shfrytëzuar mundësinë për përgatitjen e projekteve cilësore që do të dalin si prioritet i qytetarëve dhe të njëjtat të gjejnë mbështetje edhe nga organizatat dhe fondet evropiane.

Kryetari i komunës së Gazi Babës e njoftoi ministrin Fazliu me aktivitetet dhe punët e realizuara deri tani e që kishin të bëjnë kryesisht me investime në infrastrukturë, hapjen e kapaciteteve të reja të punës, ndërtimin  dhe ndërtimin e rrugëve dhe aktivitete tjera. Ai veçanërisht potencoi projektin për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Gazi Babës i cili pritet të realizohet në partneritet publiko-privat, ndërsa foli edhe për disa aktivitete të parashikuara në lagjen Hasanbeg, duke përmendur me këtë rast betonimin e kanalit në gjatësi prej rreth 300 metra.

Ministri Fazliu i shoqëruar nga kryetari Georgievski vizituan objektin e rindërtuar  të bashkësisë lokale “Alija Avdoviq” ku tash ishin krijuar kushte ideale në një vend do të funksionojnë edhe Zyra për mbajtjen e librave amë dhe stacioni policorë.