Digjitalizimi i shërbimeve lokale është proces i pashmangshëm që do të realizohet nëpërmjet një sërë aktivitetesh që tashmë janë definuar në draft - Planin aksional për realizimin e Programit për Zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim, për periudhën 2024-2026.

Kjo u konstatua në takimin e mekanizmit për koordinim të politikave në fushën e vetëqeverisjes lokale, të themeluar nga Delegacioni i BE-së dhe SÇE, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga institucionet kompetente dhe komuniteti donator.

Në takim u theksua se aktivitetet tashmë kanë filluar në kuadër të disa projekteve që Ministria e Vetëqeverisjes Lokale tashmë po i realizon me UNDP-në ndërsa në periudhën e ardhshme planifikohet qasje më sistematike në digjitalizimin e proceseve të brendshme dhe shërbimeve për menaxhim të financave publike, taksave dhe tatimeve lokale.

Qëllimi është që në tre vitet e ardhshme të krijohen kushte për përfshirjen e të gjitha komunave, për qasjen e qytetarëve në shërbimet e standardizuara elektronike në nivel lokal përmes portalit të vetëm për shërbime elektronike, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies përmes përdorimit të mjeteve elektronike që mundësojnë qasje gjithëpërfshirëse dhe inkurajojnë pjesëmarrjen e qytetarëve.

Në takim u prezantua drafti i Planit aksional, me theks në aktivitetet për digjitalizimin në nivel lokal, si dhe mundësitë për mbështetje nga ana e komunitetit të donatorëve për realizimin e tyre.