11.11.2022

Sot në Qeveri u nënshkruan kontratat për financimin e 29 projekteve në tetë rajone planore, në vlerë të përgjithshme prej 422 milionë denarë. Në ceremoninë e nënshkrimit u theksua se Qeveria ofron mbështetje të vazhdueshme financiare për të nxitur zhvillimin e barabartë rajonal të rajoneve planore dhe komunave dhe pritet që mjetet e ndara të realizohen në mënyrën më të përgjegjshme. Politika për zhvillim të barabartë rajonal është e pozicionuar lart në mesin e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëllimi i saj është përmirësimi i mirëqenies së rajoneve, zvogëlimi i pabarazive rajonale dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar në gjithë territorin e shtetit.
Në prani të zëvendëskryeministrit përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, ministrit të vetëqeverisjes lokale, Risto Penov dhe drejtorit të Byrosë për zhvillim rajonal, Ramiz Rexhepi, marrëveshjet për financimin e projekteve u nënshkruan nga drejtorët e Qendrave për Zhvillimin e Rajoneve Planore. Mjetet për financimin e projekteve sigurohen nga buxheti i Shtetit, Programi për Zhvillimin e Barabartë Rajonal për vitin 2022.
Nga 29 projekte, në rajonin planor të Shkupit – rajonin më të zhvilluar, financohen 5 projekte me vlerë të përgjithshme prej 30,4 milionë denarë, ndërsa në rajonin planor juglindor financohen 2 projekte me vlerë të përgjithshme prej 46,4 milionë denarë. Në rajonin planor lindor financohen 5 projekte me vlerë të përgjithshme prej 47,7 milionë denarë, në rajonin planor të Pellagonisë financohen 5 projekte me vlerë të përgjithshme prej 50,2 milionë denarë, në rajonin planor të Pollogut financohen 3 projekte me vlerë të përgjithshme prej 55,8 milionë denarë, në rajonin planor Jugperëndimor financohen 3 projekte me vlerë të përgjithshme prej 56,2 milionë denarë, në rajonin planor të Vardarit financohen 4 projekte me vlerë të përgjithshme prej 62 milionë denarë dhe 2 projekte financohen në rajonin planor Verilindor, rajon më pak i zhvilluar, por me shumë më të lartë prej gjithsej 73 milionë denarë.