Ministria e Vetëqeverisjes Lokale mbajti punëtori për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve për përdorimin e sistemit elektronik SiReRa, i cili ka për qëllim koordinimin e planifikimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikës për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal.

Pas fjalëve përshëndetëse të Sekretarit Shtetëror të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale Kiril Partalov dhe përfaqësueses së Byrosë për zhvillim rajonal Lidija Markov, u mbajt sesioni i parë informativ, në të cilin u diskutua për ndryshimin e Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal dhe obligimet që rrjedhin prej tij në raport me ministritë dhe institucionet e tjera.

U përmendën risitë në ligjin e vitit 2021, u theksuan pikat kyçe për zbatimin e politikës për zhvillim të barabartë rajonal dhe u nënvizua se pse ka ardhur deri te ndryshimi i zgjidhjes ligjore.

Në kuadër të punëtorisë u dha shpjegim për shpërndarjen e mjeteve për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal përmes programeve të tjera, me theks të veçantë për vlerësimin e rëndësisë së programeve të veçanta për reduktimin e pabarazive zhvillimore ndërmjet dhe në rajonet planore, ndërsa u theksuan kriteret themelore dhe më të afërta për vlerësim.