Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, në Tiranë realizoi takim pune me koordinatorin kombëtar të IPA-s, drejtorin e Agjencisë shtetërore të Programimit strategjik dhe koordinimit të ndihmës së Republikës të Shqipërisë, Ilir Beqaj.

Në takim u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të mirë ndërmjet vendeve dhe institucioneve në procesin e integrimeve evropiane.

Ministri Penov theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë i filluan njëkohësisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se mbështetja e ndërsjellë në këtë proces është e rëndësishme për të dyja vendet.

- Në takim u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA në periudhën e tretë programore deri në vitin 2027, si dhe mënyrat për tejkalimin e sfidave për menaxhim më efikas të Programit dhe mjeteve financiare të vëna në dispozicion nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu u shpreh kënaqësi edhe me realizimin e mjeteve në dispozicion nga BE-ja në periudhën e dytë programore prej 94%, në të cilën janë financuar 20 projekte të përbashkëta me vlerë totale prej 10 milionë euro. Për periudhën e ardhshme programore janë planifikuar gjithsej 13.8 milionë euro për projekte të përbashkëta nga programi IPA i BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nga të cilat 11.9 milionë janë nga Bashkimi Evropian, ndërsa pjesa tjetër janë mjete nga buxhetet kombëtare për bashkëfinancimin e projekteve, theksoi ministri i vetëqeverisjes lokale, Risto Penov.

Mjetet nga Programi IPA 3 për bashkëpunim ndërkufitar do të mund të realizohen përmes thirrjeve publike për projekte pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare për shfrytëzimin e mjeteve nga Bashkimi Evropian.