Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov dhe Sekretari i posaçëm i Greqisë për Bashkëpunim Territorial dhe fonde strukturore të BE-së, Georgios Zervos, sot në Selanik hapën Programin e ri IPA 3 për financimin e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me vlerë prej 33 milionë euro.

Në mbledhjen e parë të Komitetit të përbashkët për monitorimin dhe zbatimin e Programit të ri ndërmjet dy vendeve, u shpreh kënaqësia për rezultatet e arritura në periudhën e dytë programore, në të cilën u financuan 62 projekte, me pritshmëri që shfrytëzimi i fondeve nga Bashkimi Evropian të vazhdojë të rritet.

- Ky program është shumë domethënës për Maqedoninë e Veriut dhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale sepse komunat, por edhe institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile mund të aplikojnë drejtpërdrejt për mjete nga instrumenti IPA i BE-së dhe të financojnë projekte të rëndësishme në komuna. Ministria do të vazhdojë të punojë për forcimin e kapaciteteve të veta dhe të komunave për absorbimin e plotë të mjeteve në dispozicion nga BE-ja, tha ministri Penov.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve përmes instrumentit IPA është i rëndësishëm sepse në procesin e integrimit të shtetit në BE, indikatorë i rëndësishëm është  gatishmëria dhe kapaciteti i institucioneve për shfrytëzimin e mjeteve nga instrumentin IPA.

Ministri Penov shprehu pritjet se në bazë të mësimeve të nxjerra, në periudhën e tretë programore do të arrihet nivel i shfrytëzimit të plotë të mjeteve dhe do të realizohen projekte që do të përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve në rajonin kufitar.

-Me këtë rast dëshiroj të përshëndes ecurinë e punimeve për ndërtimin e pikës kufitare “Markova Noga”. Prespa ka simbolikë të veçantë për vendet tona, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, por ky vendkalim kufitar ka edhe vlerë të madhe praktike për komunikim më të lehtë të banorëve, gjë që do të kontribuojë edhe për zhvillimin e mikrorajonit.