Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu sot priti në kabinetin e tij kryetarin e komunës së Zhelinës, z. Blerim Sejdiu me të cilin biseduan për aktivitetet aktuale në këtë komunë, planet zhvillimore, zgjidhja e problemeve infrastrukturore dhe mundësitë për shfrytëzimin e fondeve shtetërore të dedikuara për komunat dhe fondet nga Bashkësia Evropiane.

Ministri Fazliu u shpreh i gatshëm për të mbështetur iniciativat nga komuna e Zhelinës, duke theksuar nga njëra anë mundësitë e kufizuara të Ministrisë për vetëqeverisje lokale dhe nga ana tjetër mundësitë e shumta që ofrojnë fondet nga buxheti i shtetit dhe fondet e BE-së. Por, në këtë rast ai veçoi angazhimin  e duhur profesional dhe aktivitetet që duhet të ndërmarrin  komunat për  shfrytëzimin e mundësive të dhëna, më saktë përmes projekteve konkrete dhe cilësore të arrijnë deri te sigurimi i mjeteve financiare dhe jetësimi praktik i qëllimeve të tyre.  Në këtë takim, përveç shqyrtimit  të mundësive tash më të njohura të fondeve shtetërore dhe atyre të jashtme, ministri Fazliu theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e transportit dhe lidhjeve do të ketë grante nga Banka botërore për rregullimin dhe ndërtimin e rrugëve lokale, që do të jetë edhe një mundësi e mirë për komunat.

Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu shpalosi prioritetet e komunës për këtë vit, zgjidhjen e domosdoshme të problemeve infrastrukturore  me të cilët ballafaqohen banorët e kësaj komune dhe subjektet afariste, sidomos nevojën për rindërtimin e rrugëve dhe rrugicave të vendbanimeve. Ai kërkoi shqyrtimin e  mundësive për aplikim në shpalljet e ardhshme publike me projekte që do të përmirësonin kushtet jetësore të banorëve ndërsa vuri në pah edhe rikonstruimin e dy shkollave në komunën e Zhelinës me mjete financiare nga Ministria për vetëqeverisje lokale.  Kryetari Sejdiu përmendi edhe ndërtimin e Qendrës rinore  për kulturë për çka pret mbështetje financiare nga IPA fondet për bashkëpunim ndërkufitarë.

Në fund të takimit, ministri Fazliu tha se Ministria për vetëqeverisje lokale është e hapur për bashkëpunim, me të gjitha kapacitetet që disponon për bashkëpunim të frytshëm në interes të qytetarëve.