Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu dhe ambasadori i SHBA-së  Xhes Bejli në forum me kryetarët e komunave:

Për më shumë se dy dekada,vullnetarët e Korpusit të Paqes,së bashku me komunat dhe organizatat qytetare,ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në bashkësitë lokale në Republikën e Maqedonisë.

 

Në organizim të Korpusit të Paqes dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale sot në Shkup u mbajt Forumi me kryetarët e komunave ku u prezantuan përvojat e vullnetarëve nga Shtetet e Bashkuara  të Amerikës të cilët qëndrojnë në disa komuna të Republikës së Maqedonisë dhe janë të angazhuar në bashkësitë lokale.

Në Forumin,në prezencë të  kryetarëve të komunave dhe përfaqësues të tjerë të komunave, folës ishin ambasadori i Amerikës Xhes Bejli, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, drejtor i Korpusit të Paqes Mark Hanafin,si dhe vullnetarët e Korpusit të Paqes.

- Qytetarët e Republikës së Maqedonisë kanë ndërtuar marrëdhënie të forta miqësore me popullin amerikan për dekada të tëra. Së bashku kemi realizuar shumë projekte të përbashkëta, të financuara drejtpërdrejt nga taksapaguesit amerikanë. Projekte që kanë  ndikim të madh në jetën e qytetarëve tanë dhe në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të pandashme. Edhe Korpusi i Paqes,i pranishëm në Republikën e Maqedonisë për më shumë se dy dekada, ka kontribuar shumë në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit, tha ministri Fazliu.

Ministri Fazliu shprehu shpresën se të gjithë komunat në Republikën e Maqedonisë do të shfrytëzojnë rastin dhe do të jetë mikpritës të vullnetarëve të rinj për arsye se në nivel lokalë mundësitë për zhvillimin dhe implementimin e aktiviteteve të përbashkëta janë të mëdha.

Bashkëpunimi i suksesshëm dhe afatgjatë i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale me Korpusin e Paqes u konfirmua edhe me një njohje të veçantë që i është dhënë ministrit Fazliu.

Evenimenti  është organizuar pak para Thirrjes për aplikime për vullnetarë në vitin 2018, në të cilën do të mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit nga shkollat fillore dhe të mesme publike, komunat dhe organizatat joqeveritare. Grupi i ardhshëm i vullnetarëve do të mbërrijë në Republikën e Maqedonisë në shtator të vitit 2018 dhe do të përfshijë mësues të gjuhës angleze, defektologë dhe specialistë të zhvillimit të komunitetit. Afati i fundit për aplikim është 27 prill.