Nxitja e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së pakicave në Evropën Juglindore  

Projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Nxitja e të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e pakicave në Evropën Juglindore” ka si objektiv të përgjithshëm përmirësimin e aksesit të pakicave në të drejtat e tyre në nivele të ndryshme të qeverisjes në Evropën Juglindore, bazuar në standardet e Këshillit të Evropës në këtë fushë dhe veçanërisht në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (KKMPK) dhe Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave (KEGjRP).

Tri objektiva specifike do të kontribuojnë më mënyrë plotësuese për të arritur objektivin e përgjithshëm: 

1) Mbështetja e pushtetit lokal për forcimin e politikave dhe kapaciteteve me qëllim zbatimin në praktikë të rekomandimeve mbi respektimin e të drejtave të pakicave, në njësitë e pushtetit vendor të përzgjedhura në rajon;

2) Identifikimi dhe shkëmbimi i praktikave të mira midis njësive vendore  pjesëmarrëse dhe krijimi i modeleve që mund të përshtaten për t’u përdorur në njësitë e tjera të rajonit;

3)  Ofrimi i mbështetjes për ndryshime legjislative dhe të politikave në nivelin e qeverisjes qendrore, mbështetur në të dhënat në nivel lokal, së bashku me rekomandimet nga raportet e monitorimit të KiE-së.

Në kuadër të objektivit të parë, synimi është të mbështeten njësitë e pushtetit vendor të përzgjedhura për hartimin e reagimeve konkrete për kalimin e pengesave për zbatimin e të drejtave të pakicave në nivel lokal, me mbështetjen e granteve tematike, shoqëruar me ekspertizën sistematike lokale dhe ndërkombëtare të KiE-s në terren. Tridhjetegjashtë njësi vendore do të përzgjidhen nëpërmjet një procedure të hapur, bazuar në kritere të parapërcaktuara në fushën e arsimit, medias, përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe shkrimeve, kulturës, mosdiskriminimit, dhe pjesëmarrjes efikase të personave që u përkasin pakicave kombëtare në jetën kulturore, sociale dhe ekonomike dhe në punët publike. 

Në emër të Komitetit Drejtues të projektit, sekretariati i Projektit shpall:

Thirrje për shprehje interesi

 

Thirrja është e hapur për të gjitha bashkitë e Evropës Juglindore (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Mali i zi, Serbi, Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Kosovë1), ku jetojnë minoritete. 

Grantet e projektit të KiE-s janë të kufizuara në vlerën 18.000,00 euro për çdo njësi vendore të përzgjedhur. Njësitë e përzgjedhura do të kontribuojnë me 10% të buxhetit të përgjithshëm të projektit, vlerë e cila nuk  duhet t’i kalojë 20. 000 euro.

Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data 15 shtator 2014 (ora 24:00).

Aplikimet do të vlerësohen nga komisionet lokale të vlerësimit, bazuar mbi kritere të shpallura publikisht. Aplikuesit e përzgjedhur do të përfitojnë ndihmë për hartimin e projekteve, sipas nevojës.

Grantet do të shpërndahen në fillim të muajit dhjetor të vitit 2014.

Një informacion më të gjerë mbi procedurën e dhënies së grantit, kriteret dhe formularin e aplikimit do ta gjeni në Kriteret për përzgjedhjen e njësive të pushtetit vendor në Udhëzuesin për aplikimin si edhe nëFormularin e Aplikimit, të cilët mund të shikohen dhe shkarkohen në: http://pjp-eu.coe.int/web/minority-rights.

 

[1] Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KSKB-së dhe opinionin e GjND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.