06.12.2022

Programi për bashkëpunim ndërkufitar është mënyra më e mirë për të zotëruar procedurat jo të lehta të Bashkimit Evropian, për të bashkëpunuar me vendet fqinje vetëm në interes të qytetarëve dhe për të realizuar projekte që ndryshojnë cilësinë e jetës, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov pas mbledhjes së parë të Komisionit Monitorues të “IPA Programit MK-BG 2021-2027” në Strumicë.

- Në dy ciklet e fundit të projektit, programi me Bullgarinë ka pasur rezultatet më të mira, me shfrytëzim 100% të mjeteve nga Bashkimi Evropian, dhe sot zyrtarisht fillon periudha e re programore IPA- 3 për realizimin e Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale theksoi se për realizimin e Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar, së bashku, në të dyja vendet, në të dy periudhat programore janë realizuar 178 projekte me vlerë të përgjithshme prej afro 40 milionë euro, ose 20 milionë për secilën periudhë programore, ose, janë realizuar 100 projekte në periudhën e parë programore dhe 78 në të dytën.

- Janë ndërtuar çerdhe, ashtu si në komunën e Vasilevës. Shumë shkolla dhe kopshte janë rinovuar dhe pajisur. Shumë objekte publike janë rinovuar plotësisht duke përfshirë standardet e efikasitetit të energjisë, siç është qendra multikulturore në Koçan. Janë blerë pajisje për objektet shëndetësore. Në periudhën e  tretë programore, janë në dispozicion mjete edhe më të mëdha, mbi 30 milionë euro. Nga ne varet se sa do të absorbojmë dhe çfarë projektesh do të realizojmë, tha Penov. Një nga projektet tashmë të planifikuara është pika kufitare Berovë-Strumjan, e cila ka kohë që pritet të vihet në funksion. Janë siguruar 9 milionë euro, ndërsa projekti do të realizohet nga Administrata rajonale e Bllagoevgradit dhe Drejtoria doganore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pjesa më e madhe e mjeteve, 15.5 milionë euro, janë të destinuara për financimin e projekteve për zhvillim të integruar. Do të financohet zgjerimi kryesor i aktivitetit ekonomik i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe prodhimi i produkteve turistike dhe 5 milionë euro janë të destinuara për rajon të gjelbër dhe për menaxhimin e ujërave. Në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit ishin të pranishëm kryetari i komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Gabi Hagmuller, si dhe bashkëkryesuesit, zëvendësministrat e vetëqeverisjes lokale nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, Desislava Georgievska dhe Zoran Dimitrovski.