Në organizim të Ministrisë për vetëqeverisje lokale dhe Qendrës për zhvillim të rajonit planor të Pollogut, me mbështetje të Qeverisë Zvicerane sot u mbajti Konferencë mbi sfidat e zhvillimit të barabartë rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.

Në Konferencë mori pjesë zëvendësministri për vetëqeverisje lokale Dejan Pavleski, kryetarë të komunave të rajonit planorë të Pollogut, përfaqësues të Qendrës për zhvillim, ekspertë vendas dhe ekspert nga Shqipëria dhe Kosova.

Zëvendësministri Pavleski foli për prioritetet e Ministrisë së vetëqeverisjes lokale në funksion të përmirësimit të kornizës ligjore dhe përgatitjes së një dokumenti të ri strategjik për dhjetë vitet e ardhshme.

- Politika e zhvillimit të barabartë rajonal në vend zbatohet që nga viti 2009, kur u përgatit Strategjia e parë për zhvillimin rajonal, dy vjet pas miratimit të Ligjit. Sidoqoftë, gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, nuk u arrit progres i madh në drejtim të zvogëlimit të dallimeve zhvillimore mes kryeqytetit, Shkupit dhe rajoneve tjera të vendit. Përkundrazi, dallimet janë thelluar ndërmjet rajoneve planore dhe komunave, veçanërisht ndërmjet komunave urbane dhe rurale, tha Pavleski.

Pavleski informoi se me mbështetje financiare nga Programi për zhvillim rajonal të Ministrisë së vetëqeverisjes lokale, aktualisht në tetë rajone kanë realizuar 43 projekte, ndërsa në seancën e djeshme, Qeveria ka miratuar vendimin për financimin e 74 projekteve të ri për zhvillimin e fshatrave dhe zonat me nevoja specifike zhvillimore.

-Në mandatin e kësaj qeverie, mjetet financiare për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal janë në rritje për çdo vit. Në vitin 2019, ato janë dyfishuar në krahasim me vitin 2017 dhe arrijnë shumën prej 423 milionë denarë ose 7 milionë euro.

Ky trend do të vazhdojë, jo vetëm si transferim fizik i më shumë mjeteve për realizimin e projekteve, por edhe për rritjen efekteve përmes koordinimit dhe monitorimit të zhvillimeve buxhetore si dhe mjeteve nga donatorët për rajonet planore, tha Pavleski.

Konferenca mbi sfidat e zhvillimit të barabartë rajonal dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira është organizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Qeveria Zvicerane: Zhvillim rajonal të balancuar, të qëndrueshëm dhe inkluziv” dhe është një nga Konferencat e organizuara në tetë rajonet planore.