Zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale Dejan Pavleski sot e hapi Konferencën mbi sfidat për zhvillim të barabartë rajonal, organizuar nga Ministria e vetëqeverisjes lokale, me mbështetje të Qeverisë Zvicerane, të mbajtur në Manastir.

Në Konferencë morën pjesë kryetarë të komunave nga rajoni planorë i Pellagonisë si dhe ekspertë të vendit dhe të huaj.

Zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale Dejan Pavleski theksoi se konferenca të tilla janë organizuar në tetë rajone planore si një mundësi për konsultim të palëve të interesuara dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira që kanë për qëllim përgatitjen e Strategjisë së re dhe ndryshime në Ligjin për Zhvillimin Rajonal.

-Në këtë periudhë do të punohet intensivisht për krijimin e ambientit stimulues për zhvillimin e komunave dhe rajoneve planore, përmes përmirësimit të kornizës ligjore, rritjes së mbështetjes financiare për zhvillimin e rajoneve më pak të zhvilluara dhe monitorim më të mirë të efekteve në aspekt të mjeteve të shpenzuara.  Që ti qasemi përgatitjes më efikase të dokumentit të ri strategjik, kërkohet vlerësim cilësor nga realizimi i  Strategjisë aktuale në 10 vitet e fundit, si dhe raport integral dhe cilësor me të gjithë mendimet e dhëna, vërejtje dhe praktikat e mira nga këto Konferenca që mbahen në të tetë rajonet planore, tha Pavleski.

Zëvendësministri Pavleski theksoi se zhvillimi i barabartë rajonal është prioritet i Qeverisë e cila çdo vit rrit buxhetin për këtë qëllim, dhe njëkohësisht punon në krijimin e sistemit për monitorimin e alokimeve financiare dhe rezultatet e arritura në çdo rajon.

- Ambicia jonë është që politika nacionale zhvillimore të jetë pjesë e politikës së zhvillimit rajonal të Bashkimit Evropian, përmes përvetësimit më të madh të mjeteve nga fondet IPA për realizimin e prioriteteve në rajonet planore.

Të gjitha këto aspekte duhet të merren parasysh në përgatitjen e dokumentit të ri strategjik, tha Pavleski.

Konferenca mbi sfidat e zhvillimit të barabartë rajonal dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira është organizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Qeveria Zvicerane: “Zhvillim  rajonal i qëndrueshëm i barabartë dhe gjithëpërfshirës”  dhe është një nga tetë Konferencat që mbahen në tetë rajone planore.