Printo

Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, sot vizitoi komunën e Haraqinës ku u takua me kryetaren e kësaj komune, znj. Milikije Halimi. Në këtë takim, ministri Fazliu dhe kryetarja Halimi biseduan për gjendjen aktuale në komunë, aktivitetet rrjedhëse, punët dhe projektet e ndërmarra, problemet e pazgjidhura shumëvjeçare, kërkesat e banorëve këtushëm dhe fshatrave përrreth dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ministri-komunë.

Kryetarja e komunës Halimi e njoftoi ministrin Fazliu me aktivitetet e realizuara deri tani, punët në ecuri dhe me përpjekjet e vazhdueshme që kanë për qëllim zgjidhjen e problemeve të shumta të shtresuara ndër vite, e që janë me interes jetik të banorëve të kësaj komune rurale. Për komunën e Haraqinës problemi kryesor është sigurimi i ujit të mjaftueshëm për pije dhe kanalizimi, për çka bëhen përpjekje maksimale. Komuna nuk ka të hyrat e saja dhe se xhirollogaria është gjithnjë e zbrazur që plotësisht kufizon edhe iniciativat më të vogla. Ajo kërkoi ndihmë nga institucionet relevante si dhe nga nga Ministria për vetëqeverisje lokale që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në infrastrukturë.

Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu theksoi se në përgjithësi është i njoftuar me problemet dhe kërkesat e komunës së Haraqinës dhe njëherit çmon lartë angazhimin e udhëheqësisë komunale për tejkalimin dhe zgjidhjen e tyre.

Ai me këtë rast përmendi projektin e Qendrës për zhvillim planorë të Shkupit për përgatitjen e dokumentacionit teknik për ujësjellës, me vlerë prej 2.887.650 denarë, i cili është vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit dhe i njëjti do të dorëzohet në Qeveri për miratim.

Po ashtu, ministri Fazliu përmendi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet komunave e sidomos ndërmjet atyre që i përkasin regjionit të njejtë planorë si dhe bashkëpunimi me institucionet qendrore. Në këtë drejtim, shtoi ministri Fazliu, komuna duhet bëjë përpjekje të gjithanshme për shfrytëzimin e mundësive të shumta për thithjen e fondeve buxhetore, fondeve të BE-së përmes IPA Programeve ndërkufitare si dhe fonde tjera. E gjithë kjo mund të realizohet vetëm nëse hartohen projekte cilësore jo vetëm në nivel lokal por edhe atë regjional.

Qeveria aktuale, shtoi ministri Fazliu ka dyfishuar mjetet për zhvillim të barabartë regjional duke u dhënë mundësinë që regjioneve më pak të zhvilluara të u ndahen më shumë mjete buxhetore me qëllim të zbutjes së dallimeve zhvillimore ndërmjet komunave dhe regjioneve planore. Prandaj, theksoi Fazliu, duhet që komunat të bashkëpunojnë me qytetarët, të shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe në bazë të prioriteteve të theksuara të përgatisin projekte cilësore që do të kenë ndikim pozitiv në përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve dhe të kenë efekte afatgjate.

Ministria për vetëqeverisje lokale i ka dyert e hapura për bashkëpunim në të gjitha fushat e në këtë drejtim komunat mund të shfrytëzojnë kapacitetet, idetë dhe njohuritë e sajë, që më lehtë të vijnë deri te jetësimi i planeve dhe programeve të tyre zhvillimore, theksoi ministri Fazliu.