Ministria për vetëqeverisje lokale, si bartëse e segmenteve kryesore për krijimin dhe zbatimin e politikës së zhvillimit të barabartë rajonal, hap procesin e vlerësimit të efekteve.

Shumë çështje varen nga mjetet financiare, por edhe nga prioritetet për të cilat do të shpenzohen ato, theksoi ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu.

Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni, Louisa Vinton, sot në Shkup hapën Forumin me temë: "Investimet publike kapitale dhe zhvillimin rajonal".

Në këtë Forum folën edhe zëvendësministri për vetëqeverisje lokale, Dejan Pavleski, Herald Schenker përfaqësues i UNDP-së, ndërsa në debat u përfshinë kryetarë të komunave, kryetarë të këshillave të tetë rajoneve planore, udhëheqësit e Qendrave për zhvillim të barabartë rajonal, përfaqësues nga ministritë përkatëse, shoqata e ndërmarrjeve  për shërbime publike, nga BNJVL dhe nga sektori civil.

- Qëllimi ynë është që të krijohen kushte që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë deri te shërbimet publike në nivel lokal, pa dallim se ku jetojnë. Në Programin e Qeverisë për zhvillim të barabartë rajonal prioritet është alokimi sistematik, i drejtë dhe transparent i mjeteve financiare. Ende ka dallime të mëdha zhvillimore ndërmjet Shkupit dhe brendisë, në mes qendrave kryesore urbane dhe zonave rurale në të cilat drejtpërdrejt pasqyrohet  jo vetëm cilësia, por edhe ofrimi i shërbimeve themelore publike, tha ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu.

Në Forum është prezantuar analiza e efekteve të investimeve kapitale për zhvillimin e rajoneve planore, e përgatitur nga dr. Silvana Mojsovska, profesor në Institutin  ekonomik në Shkup.

Me këtë rast, Ministria për vetëqeverisje lokale hap debat mbi efektet e zbatimit të politikës për zhvillim të barabartë rajonal në funksion të planifikimit të qëllimeve zhvillimore dhe instrumenteve për periudhën e ardhshme strategjike.