Printo

Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu realizoi takim pune me kryetarin e komunës së Vrapçishtit, z. Isen Shabani, me të cilin biseduan për më shumë çështje që kanë të bëjmë me punën dhe aktivitetet e komunës dhe iniciativat  që dalin nga këshilli i ri komunal dhe kryetari i ri i zgjedhur në zgjedhjet lokale.

Ministri Fazliu e njoftoi kryetarin Shabani me përcaktimet e Qeverisë dhe Ministrisë për vetëqeverisje lokale për të ecur përpara me proceset e decentralizimit të pushtetit, përpjekjet dhe projektet në ecuri për zhvillimin të barabartë të rajoneve planore në Republikën e Maqedonisë e në këto suaza edhe për zhvillimin e komunave, me theks të veçantë në këtë takim për komunat rurale, siç është komuna e Vrapçishtit. Ai njëherit e njoftoi kryetarin Shabani edhe me mundësitë për shfrytëzimin e IPA fondeve me projekte cilësore që do të ishin në të mirë të qytetarëve të atij regjioni.

Kryetari Shabani nënvizoi punët dhe kërkesat aktuale për të cilat është e duke u angazhuar udhëheqësia e re komunale me theks të veçantë për rregullimin e objektit të komunës si një nga kërkesat urgjente me çka do të siguroheshin kushte normale për punën e administratës së komunës.

Lidhur me këtë dhe tema tjera për të cilët u diskutua, ministri Suhejl Fazliu shprehu gatishmërinë tij të ndihmuar komunën e Vrapçishtit e njëherit theksoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhshmen.