Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu vizitoi komunën e Likovës ku u takua me ushtruesin e detyrës kryetar të komunës, z. Bashkim Hamiti.

Gjatë këtij takimi, ministri Fazliu u interesua për gjendjet aktuale në këtë komunë rurale, për aktivitetet, punët dhe projektet në ecuri si dhe planet në të ardhshmen. Gjithashtu u njoftua edhe për problemet me të cilët ballafaqohet komuna dhe banorët e këtij regjioni si dhe përpjekjet që bën komuna për tu dalë në ndihmë qytetarëve.

Ushtruesi i detyrës kryetar i Likovës, Bashkim Hamiti theksoi rëndësinë e zgjidhjes që çështjeve që kanë të bëjnë me kërkesat elementare të banorëve të zonës që përfshinë komuna e Likovës, edhe atë për ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësve në fshatra, për çka theksoi se nevojitet ndihma konkrete nga institucionet qendrore të pushtetit ndërsa me interes të shtuar përcjellin shpalljet publike për të aplikuar me projekte që mbështeten me mjete nga fondet IPA për bashkëpunim ndërkufitarë.

Ministri Fazliu siguroi bashkëbiseduesin Hamiti se Ministria për vetëqeverisje lokale i ka dyert e hapura për bashkëpunim dhe do të jetë në disponim të plotë për të ndihmuar në kuadër të kompetencave ligjore.