Delegacion shumë anëtarësh nga Instituti kosovar për qeverisje lokale sot në Ministrinë për vetëqeverisje lokale u prit nga ministri Suhejl Fazliu dhe të punësuarit në këtë dikaster qeveritarë. Është kjo vizita e radhës e delegacionit kosovarë i prirë nga drejtori ekzekutiv Besnik Muçaj të cilët si viteve të kaluara ashtu edhe sivjet bashkërisht ndajnë përvojat e mira për ngritjen e vlerave të mirëfillta demokratike të shoqërisë së dy vendeve duke kontribuar kështu në përmirësimin e standardit të qytetarëve, ndërtimin e urave për komunikim dhe bashkëpunimin e subjekteve nga fusha të ndryshme.

Ministri Fazliu përshëndeti anëtarët e delegacionit të Institutit kosovarë për qeverisje lokale duke nënvizuar se dyert e bashkëpunimit janë gjithnjë të hapura madje edhe në fusha tjera konkrete. Ai njoftoi të pranishmit se Ministria për vetëqeverisje lokale vazhdon të avancojë aktivitetet e sajë kryesisht në tre fusha të rëndësishme: decentralizimin e pushtetit, zhvillimin e balancuar regjional dhe bashkëpunimin ndërkufitarë me të gjithë fqinjët që e rrethojnë.

-Decentralizimi i pushtetit edhe mëtutje mbetet shtylla thelbësore e demokratizimit të shoqërisë. Kemi bërë hapa të rëndësishëm dhe ky proces do të vazhdojë sipas Strategjisë së hartuar për decentralizim të pushtetit në Republikën e Maqedonisë. Me rëndësi për ne është jo vetëm dhënia e më shumë kompetencave komunave, por menaxhimi i mirë me ta, stabiliteti financiar i komunave, zhvillimi i komunave duke marrë parasysh prioritetet e qytetarëve dhe ofrimin i shërbimeve unike për të gjithë, theksoi ministri Suhejl Fazliu. Ai gjithashtu shtoi se rëndësi të veçantë i kushtohet zhvillimit regjional dhe se 8-të regjioneve planore u ndahet ndihmë konkrete financiare. Me këtë rast përmendi Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën e Zvicrës me çka fillon implementimi i projektit të ri në vlerë prej 5,4 milion franga zvicerane për zhvillim të barabartë regjional. Ministri Fazliu foli edhe për bashkëpunimin ndërkomunal në Republikën e Maqedonisë si segment mjaft i rëndësishëm përmes së cilit komunat realizojnë projekte të përbashkëta në interes të dy e më shumë komunave.

Në fund të këtij takimin, ministri Fazliu u dëshiroi qëndrim të këndshëm anëtarëve të delegacionit kosovarë me dëshirë për bashkëpunim të frytshëm në të ardhshmen.