Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, sot vizitoi komunën e Tearcës ku bashkë me drejtorin e Korpusit të paqes në Maqedoni, z. Mark Hanafin, vizituan vullnetarët e këtij korpusi të vendosur në komunë dhe aktivitetet e tyre të realizuara në kuadër të qëndrimit njëvjeçar.
Tash më një vit, siç bëri të ditur drejtori Hanafin, dy vullnetarët e tyre qëndrojnë në komunën e Tetarcës, të vendosur në familje shqiptare dhe maqedonase, të cilët janë të angazhuar në aktivitete të komunës, më saktë për zhvillim ekonomik lokal si dhe në arsim, gjegjësisht në shkolla, për mësimin e gjuhës angleze nga ana e nxënësve. Gjatë këtij viti, vullnetarët janë pritur dhe integruar mjaft mirë me popullatën lokale si dhe përvetësimin e shpejtë të gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase.
Ministri Fazliu vlerësoi lartë punën e vullnetarëve dhe theksoi se është për çdo respekt puna dhe përshtatshmëria e tyre si dhe marrëdhëniet e ngushta që kanë krijuar me popullatën lokale. Njohja e njëri-tjetrit dhe e kulturave të ndryshme, traditës dhe mënyrës së jetesës është shumë e rëndësishme për mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Aktiviteti i vullnetarëve të Korpusit të paqes është një shembull i vërtetë se si dy kultura të ndryshme mund të afrohen dhe të bashkëpunojnë, e gjithashtu për një vit të mësojnë gjuhët e popullatës lokale.
-Ne jemi të përkushtuar për ndërtimit të marrëdhënieve të mira mes njerëzve, pa kufizime dhe paragjykime dhe të gjithë duhet tu përkushtohemi komunave tona dhe të bëjmë atë që është më e dobishme për komunitetin lokal, siç është shembulli vullnetarëve të korpusit të paqes dhe të njëjtat ti zbatojmë në praktikë theksoi ministri Fazliu.
Ministri Fazliu njëherit e inkurajoi kryetarin e komunës së Tearcës, z. Isen Asani për bashkëpunim më të ngushtë me Ministrinë për vetëqeverisje lokale si dhe për mundësinë për projekte ndërkufitare dhe shfrytëzimin e fondeve nga Programi IPA të financuara nga Bashkimi Evropian.