Në prani të kryetarëve të komunave, Ministri për vetëqeverisje lokale z. Suhejl Fazliu, së bashku me Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së, znj. Louisa Vinton, sot në Strugë, e hapi Forumin dy-ditor "Decentralizimi përsëri në fokus” organizuar nga UNDP, në kuadër të projektit "Përmirësimi i menaxhimit komunal", mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Ministri Fazliu përshëndeti mbajtjen e Forumit, i cili, siç tha ai, për Ministrinë për vetëqeverisje lokale dhe përfaqësuesit e sapozgjedhur komunalë, simbolikisht paraqet një fillim të ri të punës dhe të bashkëpunimit.

- Para të gjithë neve, në periudhën e ardhshme qëndrojnë përgjegjësi të mëdha që dalin nga Programi qeveritar për riafirmimin e procesit të decentralizimit dhe konsolidimin e sistemit të qeverisjes lokale, por edhe nga programet e autoriteteve lokale të cilëve qytetarët ua dhanë besimin në zgjedhjet lokale. Bazuar në prioritetet e përcaktuara, në bashkëpunim me ministritë tjera kompetente, filluam me  krijimin e kushteve për stabilitetin financiar të komunave, përmes shpërndarjes së  drejtë, transparente dhe të parashikueshme të fondeve nga buxheti qendror. Gjithashtu, ne do të punojmë në zgjerimin e kompetencave në nivel lokal, për të cilat ekzistojnë kushte reale për transferimin dhe për zbatimin më efikas të tyre. Në vend të ad hoc zgjidhjeve, do të përmirësojmë sistemin, në përputhje me parimet e decentralizimit të pushtetit dhe veçanërisht parimin e subsidijaritetit- sjelljen e vendimeve  në nivel të atillë  që është më i afërt për qytetarët, në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë,tha ministri Fazliu.

Fazliu theksoi rëndësinë e politikës së zhvillimit të barabartë rajonal në kapërcimin e dallimeve ekzistuese zhvillimore ndërmjet rajoneve planore dhe të komunave, si dhe rëndësinë e komunave në përdorimin e mjeteve financiare nga IPA fondet për bashkëpunim ndërkufitar dhe realizimin  e projekteve në funksion të  zhvillimit lokal.

Procesi i decentralizimit të pushtetit, theksoi ministri Fazliu, u nxit me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Së këtejmi, ky është një nga kriteret kyçe politike për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Jam thellësisht i bindur se kjo është mënyra e vetme e funksionimit të një sistemi demokratik i rikthyer nga nevojat e të gjithë qytetarëve.

Gjatë ditës së nesërme të Forumit, do të marrë pjesë edhe kryeministri, z. Zoran Zaev, në kuadër të  sesionit “Dialogut me Kryeministrin”.

Ideja e Forumit është të hapë dialog mes autoriteteve qendrore dhe lokale në funksion të përmirësimit të menaxhimit komunal.